Me dhënien e deklaratës solemne në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zyrtarisht filloi mandati i anëtarëve të sapozgjedhur të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas vendimit për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nr. 08-627/1, të miratuar më 28 janar 2026, Kuvendi zgjodhi Bojan Mariçiqin për kryetar, Abdush Demirin për nënkryetar, ndërsa për anëtarë të Komisionit u zgjodhën Aleksandar Dashhevski, Angelço Ristov, Svetllana Karapetrova, Boris Kondarko dhe Ditmire Shehu.

Kryetari i ri i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, është jurist i diplomuar në degën e së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë “Justiniani i Parë” në Shkup dhe magjistër i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare, i cili ka një përvojë të pasur institucionale, duke përfshirë detyrat si ministër i Drejtësisë dhe zv/kryeministër për çështje evropiane.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shtatë anëtarë, të cilët sipas dispozitave ligjore duhet të jenë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut me banim të përhershëm në vend, të kenë arsim të lartë me të paktën tetë vjet përvojë pune dhe të mos jenë anëtarë të organeve të partive politike. Mandati i anëtarëve të Komisionit është pesë vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Përbërja e re e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u votua nga deputetët, me 83 vota “pro” dhe asnjë votë “kundër”, pasi mandati i anëtarëve aktualë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve skadoi më 15 janar të këtij viti, i cili u zgjat për shkak të zbatimit të zgjedhjeve të përsëritura lokale në katër komuna.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar ndaj rolit të tij kushtetues dhe ligjor në sigurimin e proceseve zgjedhore të drejta, të lira dhe demokratike, në interes të qytetarëve dhe zhvillimit demokratik të shtetit.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content