Sot, me rastin e shënimit të Ditës Globale të Zgjedhjeve, në hapësirat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) u mbajt një punëtori edukative me nxënës nga shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit, gjatë së cilës, përmes një qasjeje interaktive, pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e zgjedhjeve, të drejtën e votës dhe qëndrueshmërinë ndaj dezinformatave.
Gjatë punëtorisë, të rinjtë patën mundësinë të shkëmbejnë dhe ballafaqojnë mendimet e tyre lidhur me rëndësinë dhe nevojën për pjesëmarrje aktive në zgjedhje. Përmes aktiviteteve interaktive, me pyetje të ndërsjella mbi dilemat dhe besueshmërinë e informacioneve që ata marrin çdo ditë nga mediat e ndryshme, të rinjtë morën përgjigjet nga shërbimi profesional i KSHZ-së, me qëllim krijimin e një baze të fortë për pjesëmarrjen e tyre të pandërprerë në zgjedhje.
“Pjesëmarrja aktive e të rinjve në procesin zgjedhor është kyçe për zhvillimin e një shoqërie të përgjegjshme dhe demokratike. Prandaj, është e rëndësishme të jeni të informuar dhe të dini se si funksionon sistemi, si organizohen zgjedhjet, si garantohen të drejtat tuaja dhe sa i rëndësishëm është zëri juaj,” theksoi kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq.
Në fjalimin e tij, kryetari u bëri u tha pjesëmarrësve se demokracia duhet të mbahet gjallë dhe nuk ekziston vetvetiu, as nuk u jepet vetë, duke u bërë thirrje atyre të jenë aktivë, të informuar dhe të marrin përgjegjësi për komunitetin dhe në krijimin e së ardhmes së shoqërisë maqedonase.
Pjesëmarrësit e rinj u përshëndetën edhe nga nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Abdush Demiri, i cili theksoi se simbolika që KSHZ po bën sot është të tregojë vendin e të rinjve në demokraci dhe në zhvillimin e shoqërive përmes pjesëmarrjes së tyre në procesin zgjedhor, në të gjitha fazat e tij.
“Është e rëndësishme që të rinjtë të kuptojnë rolin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe procesin zgjedhor, ndërsa detyra jonë është të krijojmë mundësi për të siguruar informacion që do t’i motivojë ata të jenë pjesëmarrës të informuar në proceset demokratike”, theksoi nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në punëtorinë ku morën pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), e shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me qëllim që t’i japë më shumë forcë kuptimit të kësaj dite, duke theksuar rëndësinë e procesit zgjedhor si themel të demokracisë dhe duke dërguar një mesazh në lidhje me angazhimin e KSHZ-së për të siguruar integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve. Dita Globale e Zgjedhjeve u shënua për herë të parë në vitin 2005, kur ekspertë të zgjedhjeve nga e gjithë bota u mblodhën me qëllim që të forcimit të zhvillimit të demokracisë në nivel global.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE













