Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) mbajtën një takim pune me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në të cilin tema të diskutimit ishin avancimi i bashkëpunimit institucional dhe aplikimi i zgjidhjeve të reja digjitale në procesin zgjedhor.

Në takim, nga ana e kryetarit të KSHZ-së, Bojan Mariçiq, u theksua se në epokën e kërcënimeve bashkëkohore hibride, transformimi digjital dhe integriteti zgjedhor janë shtylla të pandashme për mbrojtjen e legjitimitetit të procesit zgjedhor dhe vullnetit demokratik të qytetarëve, duke treguar se këto janë çështje për të cilat në periudhën që pason, KSHZ-ja së bashku me Ministrinë e Transformimit Digjital duhet të punojnë në modernizimin teknologjik të veprimeve zgjedhore, duke përfshirë edhe procesin e mbledhjes së të dhënave për listat e kandidatëve dhe kontrollin automatik të dokumenteve nga regjistrat gjyqësorë.

Ministri Andonovski shprehu gatishmëri për mbështetje teknike në definimin e specifikimeve për digjitalizimin e plotë të proceseve të brendshme të Komisionit, si dhe për aplikimin e zgjidhjeve bashkëkohore softuerike për menaxhim financiar dhe punë administrative.

Fokus i veçantë në takim nga ana e anëtarëve të Komisionit u vendos mbi avancimin sistematik dhe integritetin e Listës Zgjedhore, si përgjigje ndaj rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për harmonizimin e mëtutjeshëm administrativ të bazave të të dhënave. Të dyja palët u pajtuan se vendosja e lidhjeve të drejtpërdrejta dhe të sigurta digjitale ndërmjet regjistrave burimorë të MPB-së dhe Regjistrit të popullsisë është një hap kyç për eliminimin e rreziqeve operative dhe ruajtjen e një shkalle të lartë të saktësisë së të dhënave.

Nga ana e bashkëbiseduesve, si rezultat i këtij takimi konstruktiv, u paralajmërua nënshkrimi i Memorandumit për Bashkëpunim dhe formimi i grupeve operative të punës, me çka të dyja institucionet konfirmojnë përkushtimin e tyre për ndërtimin e një sistemi zgjedhor modern dhe të sigurt, ku teknologjia shërben si mburojë e demokracisë.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content