Si pjesë e zbatimit të aktiviteteve për zgjedhjet e ardhshme lokale, sot anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve mbajtën një takim pune me delegacionin e vëzhguesve të udhëhequr nga Shefi i Zyrës së Vëzhgimit të Zgjedhjeve pranë OSBE/ODIHR-it, Mateo Mekaçi. Ky është takimi i parë i Delegacionit të ODIHR-it, i cili mbërriti në vend dje, duke theksuar rolin dhe rëndësinë e KSHZ-së në zbatimin e zgjedhjeve.
Takimi u përqendrua në aktivitetet aktuale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve lidhur me organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor, si dhe rolin dhe përgjegjësitë e KSHZ-së dhe institucioneve të tjera të përfshira në të.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, shprehu kënaqësinë për praninë e ekspertëve të ODIHR-it në vend, e cila është e rëndësishme për koordinim dhe komunikim më të mirë me përfaqësuesit e KSHZ-së në prag të zgjedhjeve lokale.
Bashkëbiseduesit përshëndetën bashkëpunimin e shkëlqyer që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe ODIHR realizojnë në vazhdimësi, duke theksuar gatishmërinë e tyre që shkëmbimi i informacionit dhe sqarimeve të zhvillohet gjatë gjithë procesit zgjedhor, në interes të informimit në kohë dhe të saktë mbi rrjedhën dhe specifikat e të gjitha veprimeve zgjedhore. Mekaçi shprehu përkushtimin që ODIHR-i të vazhdojë të sigurojë dhe ofrojë mbështetje për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Delegacioni i ODIHR-it informoi për planet dhe mënyrën e vëzhgimit të zgjedhjeve, duke përfshirë qasjen metodologjike, përbërjen dhe numrin e vëzhguesve. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të pandërprerë ndërmjet tyre dhe shërbimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe ndërmjet institucioneve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, me qëllim informimin e saktë mbi rrjedhën e procesit zgjedhor.
Delegacioni i vëzhguesve të ODIHR-it që mbërriti dje në vendin tonë përbëhet nga 14 anëtarë, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe 94 vëzhgues afatgjatë për të monitoruar të gjithë procesin, si dhe 250 vëzhgues shtesë afatshkurtër që do të jenë të pranishëm në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.





KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE