Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit dhe sekretaren e përgjithshme, sot zhvilluan një takim pune me udhëheqësinë e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), kryetarin e BNJVL-së dhe njëkohësisht kryetar i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, si dhe me nënkryetarin e BNJVL-së dhe njëkohësisht kryetar i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski. Në takim u konfirmua përkushtimi për forcimin e koordinimit ndërmjet KSHZ-së dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, me fokus në zgjidhjen sistematike të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me realizimin tekniko-operativ të aktiviteteve zgjedhore.

Në takim, nga ana e anëtarëve të Komisionit u theksua se ndërlidhja e ndërsjellë ndërmjet KSHZ-së dhe komunave është thelbësore për një proces zgjedhor të suksesshëm, ku KSHZ-ja udhëheq organizimin e përgjithshëm, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes lokale janë partneri kryesor në sigurimin e kushteve të nevojshme në terren. Kryetari i KSHZ-së, Mariçiq, theksoi se periudha pas përfundimit të Zgjedhjeve Lokale 2025, në prag të raportit zyrtar nga OSBE/ODIHR, paraqet momentin më të përshtatshëm për një analizë konstruktive të të gjitha konstatimeve të deritanishme. Sipas tij, angazhimi përfundimtar është që mësimet e nxjerra të shndërrohen në zgjidhje të qëndrueshme sistemore, të cilat do ta forcojnë më tej efikasitetin si të KSHZ-së ashtu edhe të komunave në të ardhmen.

Kryetari i BNJVL-së dhe njëkohësisht kryetar i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, shprehu gatishmëri dhe hapje të plotë për dialog me qëllim tejkalimin e sfidave të deritanishme, në mënyrë që ato të mos përsëriten në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Kryetari Mariçiq theksoi se KSHZ-ja dhe komunat duhet të vazhdojnë dhe të forcojnë bashkëpunimin, me ç’rast, si hap thelbësor drejt formalizimit dhe përmirësimit të tij, ai inicioi nënshkrimin e një Memorandumi për bashkëpunim strategjik, i cili, sipas tij, do të shërbejë si bazë për partneritet dhe koordinim afatgjatë me qëllim efektivitet dhe efikasitet më të madh gjatë përgatitjeve dhe zbatimit të procesit zgjedhor. Përmes kësaj iniciative, KSHZ-ja dhe udhëheqja e BNJVL-së konfirmuan interesin e tyre të përbashkët për profesionalizimin e procesit zgjedhor, duke e vënë efikasitetin dhe bashkëpunimin sistematik në shërbim të demokracisë dhe qytetarëve.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content