
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancën e dytë, në të cilën u shqyrtuan dhe u miratuan unanimisht disa akte të rëndësishme për funksionimin operativ dhe financiar të institucionit, me fokus të veçantë në llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e fondeve buxhetore.
Komisioni e miratoi unanimisht Raportin Përfundimtar për zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupë nga janari i vitit 2026, së bashku me pasqyrën financiare, e cila është detyrim ligjor i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ta dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ta publikojë në faqen e tij të internetit.
Si pikë e rendit të ditës u miratua edhe Raporti Vjetor mbi Llogaritë përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për vitin 2025, përmes të cilit Komisioni jep një pasqyrë të detajuar të operacioneve financiare për vitin e kaluar zgjedhor. Sipas Raportit, nga buxheti total për vitin 2025 në shumën prej 623.659.000 denarë, janë realizuar 559.531.966 denarë, respektivisht 89,72% e fondeve të alokuara. Analiza e shpenzimeve tregon se 75% e buxhetit të përgjithshëm ishte për reklamë politike të paguar për zgjedhjet lokale (64,14%) dhe kompensime për administratën zgjedhore (10,66%). Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka menaxhuar me përgjegjësi dhe kujdes fondet shtetërore, duke arritur kursime të konsiderueshme. Fondet e papërdorura në shumën prej 981.752 euro janë kthyer në buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në seancë u u miratua edhe Vendimi për formimin e grupit punues profesional nga ekspertë të jashtëm të TIK-ut, fokusi i të cilëve do të jetë analiza teknike, mirëmbajtja dhe mbrojtja e Sistemit të integruar për identifikim biometrik. Me këtë Vendim parashihet formimi i tre grupeve të specializuara të ekspertëve të cilët do t’i mbulojnë aspektet kyçe të procesit: analiza e përvojave të deritanishme, hulumtimi i praktikave ndërkombëtare dhe përgatitja e parakushteve të nevojshme softuerike dhe harduerike për funksionalitet afatgjatë dhe siguri të sistemit.
Përveç kësaj, u miratua Rregullorja mbi kriteret për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e organeve zgjedhore dhe administratën zgjedhore që kanë realizuar votimin në institucionet ndëshkuese-përmirësuese ose në institucionet e përkujdesjes jashtëfamiljare, si dhe Rregullorja mbi kushtet dhe mënyrën e shfrytëzimit të kartelës zyrtare pagesore dhe mjeteve për reprezentim. Me këto akte rregullohen më tej procedurat e brendshme, me qëllim të sigurimit të profesionalizmit maksimal dhe ekonomizimit në punë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të ligjshmërisë dhe llogaridhënies, duke vazhduar menaxhimin transparent të resurseve edhe gjatë vitit 2026.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE


