Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, nënkryetari Abdush Demiri dhe anëtari i Komisionit Angellço Ristov, mbajtën një takim pune me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, në të cilin tema diskutimi ishin ndryshimet e ardhshme në legjislacionin zgjedhor dhe nevoja për përfshirje aktive të KSHZ-së në proces.

Gjatë takimit, anëtarët e Komisionit theksuan se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë teknikisht e realizueshme dhe operativisht e qëndrueshme, dhe për këtë arsye KSHZ-ja, si institucion përgjegjës për mbajtjen e zgjedhjeve, duhet të përfshihet në mënyrë aktive në shqyrtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me implementimin e Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, udhëheqësia e KSHZ-së theksoi se tashmë është përgatitur një material profesional që ofron zgjidhje konkrete për tejkalimin e sfidave të identifikuara sistemore në relizimin e zgjedhjeve. Këto propozime bazohen në praktikën shumëvjeçare institucionale të Komisionit dhe synojnë harmonizimin e proceseve teknike me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet relevante të OSBE/ODIHR-it, të cilat janë në kompetencë të KSHZ-së.

Gjatë bisedës, bashkëbiseduesit u pajtuan se Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të punojnë së bashku për të arritur deri te një ligj që do të garantojë efikasitet të vërtetë në zbatimin e veprimeve zgjedhore dhe forcimin e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore.

Propozimet zyrtare të KSHZ-së javën e ardhshme do t’i dorëzohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me bindjen se ato do të jenë pjesë integrale e ndryshimeve të ardhshme ligjore.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content