Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, dhe kryetari i Komisionit në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Parregullsive të Mundshme Zgjedhore, Xhelal Bajrami, sot realizuan takim me Delegacionin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) i përbërë nga Kryetari Boris Kondarko, Nënkryetari Abdush Demiri dhe anëtarët Svetllana Karapetrova dhe Aleksandar Dashtevski.

Të dy institucionet ranë dakord të forcojnë koordinimin ndërinstitucional brenda kompetencave të veta ligjore për organizimin dhe ndjekjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po punojnë me përkushtim për t’i siguruar të gjitha kushtet për procesin zgjedhor të drejtë dhe efikas.

Prokurori Publik Kocevski i informoi përfaqësuesit e KSHZ-së se Kolegjiumi i Prokurorisë Publike të RMV-së ka miratuar konkluzionin edhe për këtë proces zgjedhor që të themelohet komisioni i përkohshëm, i ngarkuar të ndjekë veprimin lidhur me parregullsitë e mundshme zgjedhore që lidhen me ekzistimin e veprave penale sipas Kapitullit 16 të Kodit Penal – Veprat penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, si dhe veprat e tjera penale që mund të jenë kryer gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve.

Komisioni do të ketë për detyrë që në bazë ditore t’i ndjekë të gjitha ngjarjet në shtet që lidhen me procesin e organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve lokale. Për ato ngjarje të cilat do të vlerësohen se japin indikacione për parregullsitë e kryera të mundshme zgjedhore, njoftimet menjëherë do t’i përcillen prokurorisë publike themelore përkatëse. Në të njëjtën kohë, do t’u jepen detyra prokurorive publike themelore që të veprojnë urgjentisht, përkatësisht të iniciojnë lëndë dhe t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për t’i konstatuar të gjitha faktet relevante nga të cilat varet zbatimi i drejtë i Kodit Penal.

Kryetar i Komisionit është caktuar Xhelal Bajrami, prokuror publik në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë, ndërsa në Komision do të jenë anëtarë edhe nga një prokuror publik nga të gjitha prokuroritë publike supreme, si dhe një prokuror publik nga Prokuroria Publike Themelore në Shkup, si prokuroria themelore që mbulon zonën më të madhe. Publiku, organizatat civile, organizatat e tjera, partitë politike, institucionet vendase dhe ndërkombëtare dhe të gjithë që konsiderojnë se në ndonjë procedurë ka indikacione për kryerjen e veprës penale në lidhje me procesin zgjedhor, do të mund të dorëzojnë parashtresë/fletëparaqitje në Komisionin për Ndjekjen e Parregullsive Zgjedhore në adresën elektronike [email protected], e cila do të jetë aktive edhe për këtë proces zgjedhor.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content