Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) zhvilluan një takim pune me përfaqësues të Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), në të cilin u konfirmua gatishmëria për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin në kuadër të programit “Mbështetje për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”.
Drejtoresha e Zyrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Joana Kosma, theksoi se bashkëpunimi me KSHZ-në përmes projektit të Qeverisë së Zvicrës, “Programi për mbështetjen e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut”, deri më tani ka rezultuar me arritje konkrete dhe të matshme, veçanërisht në fushën e zhvillimit të zgjidhjeve të TI-së, forcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të proceseve zgjedhore dhe rritjes së besimit të qytetarëve në to.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, theksoi se gjatë mandatit të tij, përparësi do të jenë forcimi i kredibilitetit dhe i dukshmërisë së Komisionit, si dhe hapja e tij ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, ai tha se përbërja e re e Komisionit do të vazhdojë me proceset reformuese me një fokus qartë të përcaktuar në prioritetet kryesore strategjike, ndër të cilat u theksua nevoja për vënien në funksion të Qendrës për Trajnim të Vazhdueshëm të KSHZ-së. Mariçiq theksoi se Qendra e Trajnimeve tashmë ka bazë të vendosur ligjore dhe se në periudhën e ardhshme, në bashkëpunim me IFES-in, do të bëhen përpjekje për funksionalizimin e saj të plotë operativ, duke përfshirë edhe sigurimin e stafit përkatës.
Gjatë diskutimit, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, u ndal te rëndësia e burimeve njerëzore dhe e edukimit të vazhdueshëm si element kyç për qëndrueshmërinë e reformave. Në takim, anëtarët e Komisionit, të cilët edhe në përbërjen e mëparshme kanë marrë pjesë në punën e KSHZ-së, i ndanë përvojat e deritanishme nga bashkëpunimi me IFES-in, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit mbi rezultatet e arritura dhe sigurimit të vazhdimësisë në proceset reformuese.
Në takim u konstatua bashkërisht se partneriteti ndërmjet KSHZ-së dhe IFES-it mbetet strategjik edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim përmirësimin e proceseve zgjedhore dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin zgjedhor.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE




