Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në seancën e katërt të sotme, të kryesuar nga kryetari Bojan Mariçiq, miratoi njëzëri Rregulloren për plotësimin e Rregullores për kriteret për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e organeve zgjedhore, administratën zgjedhore dhe personat e angazhuar me urdhëresë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor, me nr. 08-4741/1 të datës 14.11.2025. Me këtë hap, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i heq të gjitha dilemat dhe interpretimet e ndryshme të ligjit nga ana e komunave, duke i dhënë fund ngecjes disamujore dhe duke mundësuar pagesën e menjëhershme të kompensimeve për qytetarët e angazhuar në procesin zgjedhor.

Miratimi i këtij akti nënligjor është rezultat i takimit të punës së Komisionit me kryetarët e komunave të Qytetit të Shkupit dhe komunave të Shkupit, ku së bashku u identifikua nevoja për udhëzime më të sakta për pagesat. Edhe pse Kodi Zgjedhor në nenin 88, paragrafi 4, qartë e përcakton kompetencën e vetëqeverisjes lokale për këto shpenzime, interpretimet e ndryshme të palëve të përfshira lidhur me detyrimet ligjore çuan në vonesa të panevojshme në pagesat ndaj anëtarëve të organeve zgjedhore.

“Siç paralajmërova në seancën e mëparshme, realizuam takim me kryetarin e BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, dhe kryetarët e komunave të Shkupit, me qëllim që së bashku të gjejmë mënyrën më efikase për pagesën e këtyre detyrimeve. Edhe pse Kodi Zgjedhor është i qartë, neni 88 paragrafi 4, në praktikë u përballëm me pengesa administrative dhe interpretime të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, me këtë Rregullore që sot e miratojmë, e përcaktojmë raportin e pagesës, me çka KSHZ-ja i heq të gjitha dilemat dhe ofron zgjidhje që është në interes të komunave dhe të administratës zgjedhore që pret kompensimin e merituar. Besoj se me këtë, procesi më në fund do të përfundojë pa vonesa të mëtejshme”, tha kryetari i KSHZ-së, Mariçiq.

Me plotësimet e Rregullores, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendos ndarje juridikisht detyruese të obligimeve financiare për pagesën e kompensimeve për Zgjedhjet Lokale 2025. Sipas paragrafëve të rinj në nenin 3, kompensimi për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Shkup është në tërësi obligim i buxheteve të komunave amë, ndërsa nga buxheti i Qytetit të Shkupit do të realizohet pagesa e kompensimit për Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit.

Në nenin 19, paragrafët e rinj (2), (3) dhe (4) e përcaktojnë raportin e obligimeve ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe komunave në përbërje të tij. Në komunat ku kryetari i komunës është zgjedhur në rrethin e parë zgjedhor, komuna është e obliguar të mbulojë 70% të shumës së kompensimit, ndërsa 30% e mbetur është obligim i Qytetit të Shkupit. Nga ana tjetër, në komunat ku zgjedhjet janë zhvilluar në dy rrethe, komuna përkatëse merr përgjegjësinë për pagesën e plotë të kompensimeve për të dy rrethet zgjedhore nga buxheti i saj.

Rregullorja parashikon edhe obligimin e Qytetit të Shkupit që t’u rimbursojë mjetet atyre komunave që ndërkohë kanë kryer pagesën e plotë në rastet ku parashikohet ndarja e shpenzimeve.

Për më tepër, nën pikën “të ndryshme”, kryetari Mariçiq informoi se Komisioni është i angazhuar në mënyrë aktive edhe për tejkalimin e problemit me pagesën e kompensimeve në komunat me llogari të bllokuara, për çka tashmë është dërguar një shkresë zyrtare dhe urgjencë në Ministrinë e Financave, me qëllim që të mundësohet pagesa e pandërprerë në përputhje me dispozitat ligjore.

Si pjesë e aktiviteteve të rregullta, në seancën e sotme njëzëri u miratua edhe procesverbali nga seanca e 3-të e KSHZ-së. Linku i videos nga seanca: https://www.youtube.com/watch?v=jqAcFQisHCA

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content