Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, zhvilluan një takim pune me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Sh.T. Kilian Vall. Takimi u zhvillua në frymën e konfirmimit të rezultateve të deritanishme, por edhe të përcaktimit të fushave ku do të forcohet bashkëpunimi, në prag të ndryshimeve të ardhshme ligjore.

Në takim, ambasadori Val shprehu vlerësim të lartë për Komisionin, duke theksuar se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është një institucion me besueshmëri të madhe dhe përfaqëson një histori suksesi në shtet. Ky vlerësim i lartë përputhet me konkluzionin e përbashkët se Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it është një pasqyrim objektiv dhe real i procesit zgjedhor të zbatuar me sukses, me çka përforcohet edhe më tej kredibiliteti i institucionit.

Në këtë kontekst, udhëheqësia e Komisionit theksoi se janë të vetëdijshëm për sfidat e evidentuara në Raportin e ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale 2025, me ç’rast u nënvizua përkushtimi e fortë dhe angazhimi i veçantë në të cilin do të punohet në periudhën e ardhshme për implementimin e plotë të rekomandimeve të dhëna. Anëtarët e Komisionit e njoftuan ambasadorin për propozimet tashmë të dorëzuara në grupin e punës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se presin që këto propozime të pranohen në tërësi, me qëllim që të sigurohet efikasiteti operativ dhe shkalla më e lartë e sigurisë juridike të proceseve zgjedhore, duke respektuar ekskluzivisht standardet profesionale dhe ndërkombëtare.

Ambasadori Val konfirmoi se Misioni i OSBE-së do ta intensifikojë më tej mbështetjen për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa bashkëbiseduesit u pajtuan se ky bashkëpunim i përforcuar do të jetë i orientuar drejt realizimit të qëllimeve strategjike kyçe për transparencë dhe gjithëpërfshirje më të madhe të sistemit zgjedhor.

Në këtë drejtim, aktivitetet e përbashkëta në periudhën e ardhshme do të fokusohen në finalizimin e Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni, si pjesë përbërëse e Politikës për integritet të institucionit, si dhe në aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin në terren, me grupe të ndryshme të synuara.

Në fund të takimit, u shpreh falënderim për ambasadorin Val për përkushtimin e tij personal gjatë mandatit, me ç’rast u konkludua se mbështetja nga OSBE mbetet një shtyllë vitale për zhvillimin e mëtejshëm demokratik dhe harmonizimin e plotë të proceseve zgjedhore me standardet ndërkombëtare.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content