Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, dhe nënkryetari Abdush Demiri zhvilluan një takim pune me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për çështje evropiane, Bekim Sali, në të cilin u theksua përgjegjësia e përbashkët institucionale për avancimin e ambientit demokratik dhe për miratimin në kohë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Udhëheqësia e KSHZ-së e informoi zëvendëskryeministrin e parë për aktivitetet aktuale dhe përparimin e arritur, të shënuar në Raportin e OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale 2025. Në kuadër të bisedës, KSHZ-ja theksoi nevojën për mbështetje ndaj propozim-ndryshimeve të Kodit Zgjedhor para zëvendëskryeministrit Sali, si një hap esencial për plotësimin e boshllëqeve ligjore dhe për harmonizim të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it. Bashkëbiseduesit u pajtuan se këto reforma, të cilat përfshijnë plotësisht  rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, janë kontribut i drejtpërdrejtë drejt përmbushjes e Agjendës Reformuese evropiane dhe janë në interes të qytetarëve dhe shtetit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, në takim theksoi se Qeveria e ndjek me vigjilencë procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe mbetet fuqimisht e përkushtuar për realizimin e reformave sipas dinamikës së paraparë, me qëllim forcimin e mëtejshëm të standardeve demokratike dhe sigurimin e kushteve për procese zgjedhore legjitime. Ai shtoi se mbështetja për propozimet e KSHZ-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhet të vijë nga të gjitha palët e interesuara dhe është kyçe në këtë proces, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndryshime që fokusohen në integritetin operativ dhe efikasitetin administrativ gjatë zbatimit të zgjedhjeve.

Në takim, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, adresoi edhe sfidat aktuale të Komisionit, për të cilat pritet mbështetje në kohë dhe adekuate nga ana e Qeverisë, ndër të cilat edhe pagesa e kompensimeve për organet zgjedhore në komunat me xhirollogari të bllokuara.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit konfirmuan fokusin dhe përkushtimin e përbashkët për finalizimin e ndryshimeve ligjore deri në qershor  2026 dhe përmbushjen e obligimeve nga Agjenda e Reformave, të cilat sjellin deri në 4,2 milionë euro mjete nga BE-ja, të dedikuara për harmonizim të plotë me standardet evropiane.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content