
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, mbajtën një takim pune me delegacionin e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – ODIHR pranë OSBE-së, në të cilin në fokus të bisedimeve ishin reformat zgjedhore dhe prioritetet e ardhshme të KSHZ-së në kuadër të projektit rajonal “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor”.
Kryetari Mariçiq shprehu mirënjohje për mbështetjen nga Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025, duke theksuar se Raporti përfundimtar i ODIHR-it konfirmon suksesshmërinë e procesit dhe shkallën e lartë të besimit që gëzon KSHZ-ja te të gjitha palët e interesuara.
Edhe pse Raporti përfundimtar i ODIHR-it e konfirmon suksesin e zgjedhjeve, përfaqësuesit e ODIHR-it potencuan faktin se për disa cikle zgjedhore me radhë notohen rekomandime të njëjta, duke treguar nevojën urgjente për të zgjidhur çështjet e hapura me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.
Komisioni theksoi se duhet të shfrytëzohet momenti për zbatimin e reformave thelbësore dhe se pret mbështetje nga të gjitha palët e interesuara për pranimin e plotë të rekomandimeve të KSHZ-së për ndryshime në Kodit Zgjedhor, duke nënvizuar se KSHZ-ja është e gatshme të jetë pjesëmarrëse aktive në këtë proces, me ekspertizën dhe përvojën e saj teknike në terren.
Gjatë diskutimit, anëtarët e KSHZ-së dhanë shpjegime të hollësishme rreeth sfidave në terren, duke sqaruar se një pjesë e vërejtjeve në Raportin për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 janë rezultat i paqartësive ligjore.
Gjatë takimit u përshëndet bashkëpunimi i vazhdueshëm, me ç’rast delegacioni i ODIHR-it konfirmoi mbështetjen për tejkalimin edhe të atyre rekomandimeve që nuk kërkojnë ndryshime ligjore, veçanërisht në pjesën e transparencës, edukimit dhe profesionalizimit të administratës. KSHZ-ja theksoi rëndësinë e projektit “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor” dhe shprehu pritshmërinë për vazhdimin e tij.
Vizita e punës e delegacionit të ODIHR-it, në përbërje të Ranko Vukçeviq, këshilltar për zgjedhje, Raul Mureshan, koordinator i projektit rajonal “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor” dhe Natalija Vasilevska, bashkëpunëtore e projektit, realizohet pas publikimit të Raportit përfundimtar për zgjedhjet lokale të vitit 2025 dhe përfshin takime edhe me institucione të tjera shtetërore, shoqërinë civile dhe bashkësinë ndërkombëtare.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

