Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Abdush Demiri, së bashku me anëtarët Svetllana Karapetrova, Boris Kondarko dhe Ditmire Shehu, morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët kushtuar avancimit të reformave zgjedhore. Në fokus të diskutimit ishin sfidat me kornizën aktuale ligjore, integriteti i fushatave zgjedhore dhe mekanizmat për mbikëqyrjen e financimit të tyre.

Theksi kryesor u vu në rekomandimet kryesore nga Raporti i ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe nevojën thelbësore që ato të shndërrohen në zgjidhje ligjore konkrete dhe të zbatueshme. Folësit theksuan se tani është momenti për miratimin përfundimtar të Kodit të ri Zgjedhor, me çka do të përmbusheshin plotësisht obligimet nga Agjenda Reformuese.

Në këtë drejtim, nënkryetari Abdush Demiri theksoi se për KSHZ-në prioritet është funksionaliteti i reformave, e jo vetëm miratimi i tyre formal. “Nuk mjafton vetëm t’i përshkruajmë rekomandimet e ODIHR-it në ligj, ato duhet të jenë të zbatueshme edhe në terren. KSHZ-ja këmbëngul në zgjidhje të qarta ligjore që do të mënjanojnë të gjitha paqartësitë në pjesën e administratës zgjedhore dhe zbatimin teknik të zgjedhjeve. Ekspertiza jonë është në dispozicion të Grupit të Punës që punon për Kodin Zgjedhor, për të siguruar që rregullat e reja do të nënkuptojnë një proces më të mirë dhe më transparent”, theksoi Demiri.

Nga ana e pjesëmarrësve u konstatua se nevojitet vullnet i fortë politik dhe veprim i koordinuar i të gjitha institucioneve për të mbyllur rrethin e rekomandimeve shumëvjeçare dhe për të forcuar besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Institucione rezistente për qeverisje demokratike dhe zgjedhje në Ballkan”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup, Programit Zviceran për mbështetjen e zgjedhjeve, i zbatuar nga IFES-i, si dhe projektit të ODIHR-it “Mbështetja e reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content