Me trajnimin me temë „Identifikimi, vlerësimi dhe menaxhimi i rreziqeve nga korrupsioni“, të dedikuar për anëtarët dhe t; punësuarit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe të organizuar në bashkëpunim e me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, zyrtarisht filloi faza e parë praktike e hartimit të Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni të KSHZ-së.

Në fjalimin e tij hyrës, kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, theksoi se përballja me këtë sfidë komplekse shoqërore është një çështje jashtëzakonisht aktuale, veçanërisht mbrojtja e administratës zgjedhore nga ndikimet korruptive. Ai potencoi se mbrojtja më e mirë e KSHZ-së nuk është reagimi pasi lëshimi të ketë ndodhur, por krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të brendshëm përmes parandalimit të saktë.  Duke iu referuar praktikës ndërkombëtare, Mariçiq tha se „qëndrueshmëria e trupave zgjedhorë nuk matet vetëm me gatishmërinë e tyre teknike për zbatimin e zgjedhjeve, por me aftësinë e tyre për të parashikuar dhe neutralizuar paraprakisht rreziqet e brendshme dhe të jashtme ndaj integritetit të tyre“

Ai shprehu falënderim të veçantë për Misionin e OSBE-së në Shkup dhe ambasadorin, SH.T. Kilian Vall për mbështetjen afatgjatë, si dhe për kryetarin e KSHPK-së (Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit), z. Adem Çuçul, duke theksuar se kohezioni ndërinstitucional konfirmon përkushtimin e përbashkët për tolerancë zero ndaj rreziqeve korruptive.

Në këtë ngjarje, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Vall, theksoi se mbështetja e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe gjithëpërfshirëse është një nga angazhimet themelore të OSBE-së, ndërsa bashkëpunimi i deritanishëm me KSHZ-në dhe KSHPK-në tashmë ka sjellë rezultate konkrete në avancimin e integritetit zgjedhor. Ai theksoi se hartimi i Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni përfaqëson një mjet praktik dhe të qëndrueshëm që duhet të dëshmohet në praktikë.

“Hartimi i Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni nuk është thjesht një ushtrim teknik, por edhe një investim i rëndësishëm në qëndrueshmërinë institucionale, transparencën dhe besimin e publikut.”, tha ambasadori Vall.

Hartimi i këtij dokumenti strategjik, i cili synon të ndërtojë një qëndrueshmëri afatgjatë dhe një sistem imunitar të brendshëm të institucionit përmes parandalimit të saktë dhe mapimit të çdo pike të ndjeshme në procedurat operative, po zhvillohet nën mentorimin e ekspertes, znj. Aneta Arnaudovska, përvoja profesionale e së cilës është një garanci e plotë se specifikat e punës së KSHZ-së do të pasqyrohen në një dokument me standardet më të larta ndërkombëtare.

Ky aktivitet, ku mysafirë ishin edhe përfaqësuesit nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pason mbështetjen afatgjatë nga ana e Misionit të OSBE-së dhe është pjesë e Politikës së Integritetit, ku progresi i KSHZ-së është real dhe i matshëm.

Treguesit zyrtarë konfirmojnë një rritje serioze në harmonizimin e Komisionit me politikat antikorrupsion, e cila nga 61% në vitin 2023 është rritur në 73% në vitin 2025.

Trajnimi, i cili u moderua nga Natalia Rusu, shefe e Departamentit të Demokratizimit pranë Misionit të OSBE-së në Shkup, në pjesën e saj të punës përfshiu edhe simulime praktike për identifikimin e proceseve dhe nënproceseve, si dhe diskutim mbi avantazhet e vendosjes së standardit ndërkombëtar ISO 37001. Me këtë hap, KSHZ-ja dërgon një mesazh të qartë se parandalimi dhe llogaridhënia janë një angazhim praktik i përditshëm i institucionit.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content