Në ambientet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u mbajt një ngjarje me temë „Sfidat e financimit politik dhe reklamimit politik të paguar në epokën digjitale – si të avancohet transparenca dhe llogaridhënia?“, e organizuar në kuadër të bashkëpunimit të KSHZ-së me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, në fjalimin e tij hyrës drejtuar të pranishmëve, theksoi rëndësinë e një diskutimi të hapur dhe të thellimit të njohurive dhe përvojave lidhur me sfidat e financimit politik dhe reklamimit politik të paguar në kushtet e një zhvillimi dinamik digjital në nivel global, si dhe mundësitë dhe sfidat për avancimin e transparencës së procesit zgjedhor. Ai vuri në dukje se ndjekja e trendeve dhe sfidave bashkëkohore në këtë fushë është e një rëndësie të veçantë për administratën zgjedhore dhe për forcimin e mëtejshëm të besimit në procesin zgjedhor.
Fjalim hyrës pati edhe Joana Kosma, drejtoreshë e IFES-it në Maqedoninë e Veriut, e cila potencoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare në drejtim të avancimit të rregullativës dhe praktikave që kanë të bëjnë me financimin politik dhe reklamimin politik të paguar.
Në kuadër të ngjarjes, Dr. Magnus Ohman, drejtor i Zyrës Rajonale të IFES-it dhe këshilltar i lartë për financim politik, mbajti një prezantim kushtuar sfidave aktuale në fushën e financimit politik dhe reklamimit politik të paguar gjatë proceseve zgjedhore. Prezantimi përfshiu përvoja ndërkombëtare, praktika të mira dhe qasje të mundshme për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në hapësirën digjitale.
Në diskutimin që vijoi, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime dhe përvoja lidhur me kornizën ligjore ekzistuese, sfidat praktike që ndërlidhen me mbikëqyrjen e reklamimit politik në platformat e internetit, si dhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale në këtë fushë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të vazhdojë edhe më tej të mbështesë aktivitete që synojnë ndjekjen e sfidave bashkëkohore zgjedhore dhe zbatimin e praktikave të mira që kontribuojnë në forcimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE







