Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët Svetllana Karapetrova dhe Boris Kondarko morën pjesë në panelin e dialogut “Gatishmëria dhe llogaridhënia institucionale”, në kuadër të ngjarjes “Nga dëshmitë në veprim: Forcimi i rezistencës ndaj FIMI-së së lidhur zgjedhore në Maqedoninë e Veriut”, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Interneshënall IDEA, me mbështetjen e Ambasadës së Kanadasë.
Kryetari Mariçiq në fjalimin e tij theksoi se zgjedhjet moderne po zhvillohen gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale. Prandaj, siç theksoi ai, mbrojtja e integritetit zgjedhor sot nuk do të thotë vetëm zbatimi i duhur i procedurave zgjedhore në vendvotimet, por edhe mbrojtja e hapësirës së informacioneve ku qytetarët i miratojnë vendimet e tyre demokratike.
“Sfidë veçanërisht e rëndësishme në këtë kontekst është ndërhyrja e huaj në hapësirën e informacioneve, e cila përfshin aktivitete manipuluese të qëllimshme dhe të koordinuara që mund të ndikojnë negativisht në vlerat, procedurat dhe proceset politike. Në kontekstin zgjedhor, qëllimi i ndërhyrjes së tillë nuk duhet të jetë gjithmonë bindja e drejtpërdrejtë e qytetarëve për mesazhin e caktuar politik. Po aq e rrezikshme mund të jetë krijimi i mosbesimit, konfuzionit dhe dyshimit në institucionet zgjedhore dhe në legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe rezultateve zgjedhore”, tha Mariçiq.
Ai theksoi se sfera informative dhe e komunikimit, edukative dhe e TI-së janë inkorporuar si tre prioritete strategjike në Planin Strategjik të KSHZ-së (2025-2028). Në vazhdim, Mariçiqi i përmendi aktivitetet e deritanishme për modernizimin e infrastrukturës së TIK-së, trajnimet e zbatuara për higjienën kibernetike për më shumë se 200 përfaqësues të KSHZ-së dhe komisioneve komunale të zgjedhjeve, si dhe përkufizimin e Strategjisë së Komunikimit, e cila parashikon formimin e Ekipit për Menaxhimin e Krizave gjatë Zgjedhjeve, si dhe forcimin e edukimit mediatik. Mariçiqi theksoi se përvoja tregon se asnjë institucion nuk mund të përballet i vetëm me kërcënimet moderne digjitale dhe informative dhe se nevojitet koordinimi midis organeve zgjedhore, institucioneve kompetente për sigurinë kibernetike, rregullatorëve mediatikë, institucioneve të tjera shtetërore, sektorit teknologjik dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Integriteti zgjedhor nuk do të thotë vetëm një ditë zgjedhore e zbatuar siç duhet. Ai do të thotë edhe qytetarë që kanë qasje në informacionet e sakta, institucione rezistente ndaj manipulimeve dhe opinion që ka besim në procesin demokratik”, konkludoi Mariçiq.
Në kuadër të ngjarjes, para përfaqësuesve të institucioneve dhe opinionit ishte prezantuar Draft-Udhërrëfyesi për politikat dhe llogaridhënien për forcimin e rezistencës ndaj FIMI-së së lidhur zgjedhore (ndërhyrja e huaj dhe manipulimi me informacionet). Dokumenti doli nga hulumtimi i gjerë dhe një sërë dialogësh dhe punëtorish të realizuara në kuadër të projektit, me ç’rast përmban rekomandime konkrete për koordinimin institucional, verifikimin e shpejtë, transparencën e fushatave zgjedhore digjitale, llogaridhënien dhe komunikimin publik.




KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

