
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e mbajti Seancën e 19-të, në të cilën përcaktoi unanimisht përmbajtjen, pamjen dhe mbrojtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet e Parakohshme për Kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të mbahen më 18 tetor 2026.
Në përputhje me nenin 33 të Rregullores dhe dispozitat përkatëse të Kodit Zgjedhor, Komisioni e diskutoi këtë pikë në seancë të mbyllur pa praninë e publikut, me qëllim të ruajtjes së konfidencialitetit të materialit zgjedhor dhe mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor, duke përcaktuar elementët specifikë të dukshëm dhe të padukshëm të sigurisë së fletëvotimit.
Gjatë përkufizimit të përmbajtjes së fletëvotimit, u zbatuan plotësisht normat ligjore, sipas të cilave materiali shtypet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, ndërsa në përputhje me përfaqësimin e bashkësive në Komunën e Bërvenicës, edhe në gjuhën dhe alfabetin zyrtar të përdorur nga të paktën 20% e qytetarëve në atë komunë, si dhe në gjuhën dhe alfabetin e bashkësisë së cilës i përkasin kandidatët. Renditja e kandidatëve dhe parashtruesve të tyre është sipas listës së vetme të përcaktuar të kandidatëve, ndërsa pjesa kryesore e fletëvotimit përmban emrin e komunës, numrin e vendvotimit, emrin dhe simbolin e parashtruesit, si dhe numrin rendor, emrin dhe mbiemrin e kandidatëve. Pjesa që mbetet në koçan përmban numrin serik, komunën dhe numrin e vendvotimit. Për pjesën e mbyllur të seancës do të hartohet procesverbali i veçantë, i cili do të arkivohet në mënyrë të përshtatshme së bashku me regjistrimin audio dhe nuk do të bëhet publik. Në kuadër të rendit të ditës të miratuar, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e miratoi unanimisht edhe Procesverbalin e Seancës së 18-të.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

