Sot, në organizim të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, gjithsej dhjetë përfaqësues të parashtruesve të listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nënshkruan Kodin për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike.

Me nënshkrimin e këtij Kodi, nënshkruesit u angazhuan dhe premtuan se do t’i përmbahen dhe promovojnë në mënyrë aktive Kodin si një akt etik që do ta respektojnë gjatë paraqitjeve të tyre në procesin zgjedhor.

Në ceremoni foli kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, prof. Aleksandar Dashtevski dhe nënkryetarja Ditmire Shehu.

Kryetari Dashtevski tha se me nënshkrimin e këtij kodi dërgohet mesazh për sjellje korrekte dhe demokratike, respektim të ligjeve, rregullave dhe rregulloreve dhe respektim të sundimit të ligjit gjatë organizimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve.

“Kodi për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike është konfirmim i kapacitetit demokratik të të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje, për zhvillimin demokratik të shoqërisë sonë, por edhe mundësi që të gjithë ne të angazhohemi ndaj parimeve të demokracisë. Me nënshkrimin e këtij Kodi, nënshkruesit dërgojnë mesazhin e sjelljes së drejtë dhe demokratike, respektimit të të gjitha ligjeve, rregullave dhe rregulloreve dhe respektimit të shtetit ligjor në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Ky akt është shprehje e vullnetit për ta ruajtur integritetin e procesit zgjedhor, për të kontribuar në zhvillimin e vlerave demokratike dhe standardeve zgjedhore”, tha Dashtevski në fjalimin e tij.

Shtatë përfaqësues të parashtruesve të listave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë përfaqësues nga koalicioni Guximshëm për Maqedoninë, Partia Era e Tretë Maqedonase, Partia E Majta, Partia Maqedonia e Vetme, Partia Demokratët, Partia e Punëtorëve dhe Atdheu, nuk morën pjesë dhe nuk e firmosën Kodin për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike.

Nënshkrimi i Kodit për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike është bërë në përputhje me nenin 8 në paragrafin 1 të Ligjit Zgjedhor, sipas të cilit nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve, partitë politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike.

Akti i nënshkrimit të Kodit u mbajt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik në vend, të organizatave ndërkombëtare, përfaqësues të mediave dhe partive politike.

.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content