Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), më 8 korrik 2026, mbajti seancën e 9-të në përbërje të plotë, në të cilën me konsensus u miratuan disa akte me qëllim të saktësimit të procedurave për regjistrimin e pasurisë, harmonizimin dhe zëvendësimin e vulave zyrtare të organeve zgjedhore, si dhe zbatimin e edukimit të vazhdueshëm të publikut gjatë periudhës jashtëzgjedhore.

Në fillim të seancës, anëtarët e KSHZ-së miratuan njëzëri Rregulloren e re dhe Procedurën për mënyrën e kryerjes së regjistrimit dhe harmonizimit të gjendjes kontabël të mjeteve dhe detyrimeve me gjendjen faktike. Këto akte miratohen në përputhje me detyrimet ligjore për kontabilitetin e shfrytëzuesve buxhetorë dhe kanë për qëllim të sigurojnë saktësi maksimale, transparencë dhe pasqyrim real të pronës institucionale dhe të librave kontabël.

Për shkak të ndërlidhjes së akteve të propozuara dhe në drejtim të një vendimmarrjeje më efikase, në përputhje me nenin 42, paragrafët 2 dhe 3 të Rregullores së Punës së KSHZ-së, Komisioni zhvilloi shqyrtim dhe votim të vetëm për paketën e vendimeve që kanë të bëjnë me vulat zgjedhore dhe vulat katrore. Me këtë rast, u votuan njëzëri vendimet për ndryshimin, plotësimin dhe zëvendësimin e vulave dhe vulave katrore që përdoren nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe njësitë e tij rajonale, komisionet komunale të zgjedhjeve (duke përfshirë edhe Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit), si dhe për vendvotimet që janë nën kompetencën e KKZ-ve Gazi Babë, Vasilevë, Zelenikovë, Karbinc, Konçe, Petrovec dhe Çuçer Sandevë.

Në seancë u miratua njëzëri Programi vjetor për edukimin e aktorëve të ndryshëm në zgjedhje gjatë periudhës jashtë procesit zgjedhor për vitin 2026. Miratimi i këtij programi është detyrim ligjor i KSHZ-së, në pajtim me nenin 31, paragrafi 2, pika 6-a të Kodit Zgjedhor, për sigurimin e trajnimeve të vazhdueshme për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Qëllimi kryesor është vendosja e një sistemi të qëndrueshëm të edukimit ndërmjet dy cikleve zgjedhore, i cili do të kontribuojë në thellimin e njohurive, kuptimin më të mirë të rregullativës dhe përgatitjen praktike për të gjitha palët e përfshira. Me realizimin e këtyre trajnimeve të vazhdueshme gjatë periudhës jashtëzgjedhore, KSHZ-ja synon forcimin afatgjatë të integritetit, rezistencën ndaj parregullsive, si dhe rritjen e transparencës dhe besimit të publikut në procesin zgjedhor.

Seanca e 9-të e KSHZ-së

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content