Udhëheqësia e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) realizoi një takim pune me drejtorin e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA), z. Faton Fazliu, ku temat kryesore të bisedës ishin forcimi i bashkëpunimit dhe vendosja e një komunikimi operativ më të shpejtë dhe më efikas.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, theksoi se për ruajtjen e besimit të qytetarëve në tërë procesin zgjedhor, rëndësi vendimtare ka përditësimi me kohë dhe i vazhdueshëm i Listës Zgjedhore. Ai propozoi që, në kuadër të kompetencave ligjore të të dyja institucioneve, të shqyrtohen mundësitë për vendosjen e një mënyre digjitale për marrjen e të dhënave për ndryshimet në bazë të vdekjeve, me qëllim të regjistrimit me kohë të këtyre ndryshimeve nga terreni dhe eliminimit të ngecjeve administrative.
Drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Faton Fazliu, e përshëndeti iniciativën e KSHZ-së për vendosjen e një komunikimi ndërinstitucional të drejtpërdrejtë më të afërt dhe më të shpeshtë, veçanërisht ndërmjet njësive rajonale dhe zyrave të të dyja institucioneve. Ai theksoi se Drejtoria, me gjithë sfidat reale operative dhe mungesën e burimeve njerëzore, mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ligjore dhe në gjetjen e mënyrave më efikase për përcjelljen e të dhënave, me qëllim të përditësimit me kohë dhe të saktë të Listës Zgjedhore. Në drejtim të një zgjidhjeje afatgjatë dhe sistemore, Fazliu theksoi mundësinë që ofron Platforma kombëtare e interoperabilitetit, në mënyrë që KSHZ-ja të ketë qasje në të dhënat dhe një shkëmbim të vazhdueshëm e të automatizuar të informacioneve.
Duke iu referuar gjetjeve pozitive në Raportin për Zgjedhjet Lokale 2025 të OSBE/ODIHR-it, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, theksoi se Komisioni në vazhdimësi e avancon transparencën dhe e forcon integritetin e KSHZ-së, duke vënë në dukje se aktivitetet e këtilla ndërinstitucionale dhe bashkëpunimi i ngushtë me DULA-n kontribuojnë drejtpërdrejt në një saktësi edhe më të madhe të Listës Zgjedhore, gjë që rrit më tej besimin e publikut në tërë procesin zgjedhor.
Në takim, anëtarët e Komisionit theksuan nevojën për respektimin e përpiktë të dinamikës së përcaktuar me ligj për dorëzimin e të dhënave, duke potencuar se shkëmbimi i shpejtë i informacioneve mund të parandalojë mospërputhjet në Listën Zgjedhore. Ata vunë në dukje se, pavarësisht mekanizmave ekzistues mbrojtës të sigurisë dhe zbatimit të identifikimit biometrik me gjurmë të gishtrinjve, i cili në praktikë e pamundëson plotësisht çfarëdo keqpërdorimi gjatë votimit, çdo vonesë në përditësimin e të dhënave lë hapësirë për dyshime të pabaza në opinion, gjë që ndikon drejtpërdrejt në perceptimin për integritetin e procesit zgjedhor.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që në periudhën e ardhshme të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin do të rregullohen saktësisht obligimet e ndërsjella dhe protokollet e veprimit, ndërsa një grup i përbashkët pune i përbërë nga përfaqësues të të dyja institucioneve do t’i përcaktojë hapat teknikë dhe operativë për realizimin e aktiviteteve të dakorduara.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE



