Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Abdush Demiri, dhe anëtarja e Komisionit, Svetllana Karapetrova, morën pjesë aktive në konferencën ndërkombëtare me temë „Teknologjitë e reja dhe integriteti zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë: roli, kufizimet dhe përgjegjësia“, e cila u mbajt në Asamblenë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.
Në kuadër të tre paneleve të punës, përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me kolegët e tyre nga Estonia dhe Shqipëria, si dhe me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, ndanë përvojat, sfidat dhe kapacitetet institucionale të nevojshme për aplikimin dhe menaxhimin e suksesshëm të veglave digjitale gjatë votimit dhe përmbledhjes së rezultateve.
Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, ishte folës në panelin me titull „Teknologjia dhe besimi: Konteksti për forcimin e integritetit zgjedhor në BeH“, ku i ndau përvojën praktike të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se aplikimi e identifikimit biometrik të votuesve ishte një hap i rëndësishëm për rritjen e besimit të opinionit publik në procesin zgjedhor. Demiri theksoi se çelësi për forcimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve nuk qëndron vetëm te teknologjia, por edhe te qëndrueshmëria institucionale, përgatitja profesionale dhe kapaciteti i administratës zgjedhore për të menaxhuar me sukses proceset në terren. Në kuadër të diskutimit, Demiri konfirmoi gatishmërinë dhe transparencën e plotë të KSHZ-së për bashkëpunim profesional dhe ndarjen e njohurive praktike dhe eksperte me kolegët nga Bosnja dhe Hercegovina.
Pjesëmarrësit në konferencë u pajtuan se teknologjia është një vegël e fuqishme për reduktimin e manipulimeve zgjedhore, por që për sukses të plotë është i domosdoshëm komunikimi transparent me publikun dhe mbështetja e fortë nga të gjitha institucionet shtetërore.
Ngjarja, e cila u organizua nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Bosnjë dhe Hercegovinë, me mbështetjen e Komisionit për Luftë Kundër Korrupsionit të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, u hap solemnisht nga kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Darko Babal, ndërsa u mbyll me një fjalim përmbyllës dhe mesazhe kryesore nga kryesuesi i Komisionit për Luftë Kundër Korrupsionit të APBeH-së, Branisllav Borenoviq.
KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE








