Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, më datë 16.04.2026, në përbërje të plotë mbajti seancën e 3-të, në të cilën në mënyrë unanime u miratuan disa akte kyçe të orientuara drejt avancimit të standardeve të brendshme të punës dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Në kuadër të rendit të ditës u miratuan procedurat për punë jashtë orarit dhe pagesën e shtesave në pagë, si dhe procedura për mungesë nga hapësirat e punës, me çka institucioni formalizon praktikat pozitive të deritanishme dhe vendos mekanizma të saktë për evidencë dhe vlerësim të punës në përputhje me standardet bashkëkohore.

Si pikë e rendit të ditës u miratua edhe Plani Aksional për avancimin e perspektivës gjinore (PAGJ) 2026–2028, dokument strategjik për integrimin e parimeve të inkluzivitetit dhe për avancimin e kulturës institucionale, standardeve profesionale dhe inkluzivitetit të procesit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në drejtim të forcimit të gatishmërisë administrative, Komisioni miratoi edhe Programin për trajnimin e udhëheqësisë dhe të punësuarve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, me Plan për trajnime nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale për vitin 2026. Ky akt buron nga detyrimet ligjore për harmonizim të plotë me legjislacionin vendor dhe Rregulloren Evropiane (GDPR).

Nën pikën “Të ndryshme”, kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, e hapi çështjen e vonesave dhe pagesave jo të plota të kompensimeve për anëtarët e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 nga ana e një pjese të komunave. Në paraqitjen e tij, ai theksoi se, në përputhje me Kodin Zgjedhor, përgjegjësia për pagesën e këtyre mjeteve është detyrim ekskluziv i komunave dhe i Qytetit të Shkupit. Njëkohësisht, ai vuri në dukje se KSHZ-ja është organi i vetëm kompetent për miratimin e Rregullores për kompensime, prandaj çdo vendim i pavarur i autoriteteve lokale për revidimin e saj ose uljen e shumave është i pabazuar ligjërisht dhe i pavlefshëm.

Me qëllim tejkalimin e situatës në komunat me llogari të bllokuara, Komisioni tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë dhe iu është drejtuar Ministrisë së Financave dhe Qeverisë për gjetjen e një mekanizmi të përshtatshëm për sigurimin e mjeteve të nevojshme. Mariçiq theksoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i angazhuar për tejkalimin e problemit dhe paralajmëroi koordinim shtesë me udhëheqësinë e BNJVL-së dhe kryetarët e një pjese të komunave, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët për pagesën urgjente të kompensimeve dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave ligjore dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve të përfshirë në procesin zgjedhor.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content