Me trajnimin me temë „Identifikimi, vlerësimi dhe menaxhimi i rreziqeve nga korrupsioni“, të dedikuar për anëtarët dhe t; punësuarit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dhe të organizuar në bashkëpunim e me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, zyrtarisht filloi faza e parë praktike e hartimit të Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni të KSHZ-së.

Në fjalimin e tij hyrës, kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, theksoi se përballja me këtë sfidë komplekse shoqërore është një çështje jashtëzakonisht aktuale, veçanërisht mbrojtja e administratës zgjedhore nga ndikimet korruptive. Ai potencoi se mbrojtja më e mirë e KSHZ-së nuk është reagimi pasi lëshimi të ketë ndodhur, por krijimi i një sistemi të qëndrueshëm të brendshëm përmes parandalimit të saktë.  Duke iu referuar praktikës ndërkombëtare, Mariçiq tha se „qëndrueshmëria e trupave zgjedhorë nuk matet vetëm me gatishmërinë e tyre teknike për zbatimin e zgjedhjeve, por me aftësinë e tyre për të parashikuar dhe neutralizuar paraprakisht rreziqet e brendshme dhe të jashtme ndaj integritetit të tyre“

Ai shprehu falënderim të veçantë për Misionin e OSBE-së në Shkup dhe ambasadorin, SH.T. Kilian Vall për mbështetjen afatgjatë, si dhe për kryetarin e KSHPK-së (Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit), z. Adem Çuçul, duke theksuar se kohezioni ndërinstitucional konfirmon përkushtimin e përbashkët për tolerancë zero ndaj rreziqeve korruptive.

Në këtë ngjarje, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Vall, theksoi se mbështetja e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe gjithëpërfshirëse është një nga angazhimet themelore të OSBE-së, ndërsa bashkëpunimi i deritanishëm me KSHZ-në dhe KSHPK-në tashmë ka sjellë rezultate konkrete në avancimin e integritetit zgjedhor. Ai theksoi se hartimi i Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni përfaqëson një mjet praktik dhe të qëndrueshëm që duhet të dëshmohet në praktikë.

“Hartimi i Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni nuk është thjesht një ushtrim teknik, por edhe një investim i rëndësishëm në qëndrueshmërinë institucionale, transparencën dhe besimin e publikut.”, tha ambasadori Vall.

Hartimi i këtij dokumenti strategjik, i cili synon të ndërtojë një qëndrueshmëri afatgjatë dhe një sistem imunitar të brendshëm të institucionit përmes parandalimit të saktë dhe mapimit të çdo pike të ndjeshme në procedurat operative, po zhvillohet nën mentorimin e ekspertes, znj. Aneta Arnaudovska, përvoja profesionale e së cilës është një garanci e plotë se specifikat e punës së KSHZ-së do të pasqyrohen në një dokument me standardet më të larta ndërkombëtare.

Ky aktivitet, ku mysafirë ishin edhe përfaqësuesit nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pason mbështetjen afatgjatë nga ana e Misionit të OSBE-së dhe është pjesë e Politikës së Integritetit, ku progresi i KSHZ-së është real dhe i matshëm.

Treguesit zyrtarë konfirmojnë një rritje serioze në harmonizimin e Komisionit me politikat antikorrupsion, e cila nga 61% në vitin 2023 është rritur në 73% në vitin 2025.

Trajnimi, i cili u moderua nga Natalia Rusu, shefe e Departamentit të Demokratizimit pranë Misionit të OSBE-së në Shkup, në pjesën e saj të punës përfshiu edhe simulime praktike për identifikimin e proceseve dhe nënproceseve, si dhe diskutim mbi avantazhet e vendosjes së standardit ndërkombëtar ISO 37001. Me këtë hap, KSHZ-ja dërgon një mesazh të qartë se parandalimi dhe llogaridhënia janë një angazhim praktik i përditshëm i institucionit.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, më datë 26.05.2026, mbajti seancën e 8-të në të cilën morën pjesë gjithsej pesë anëtarë të Komisionit, me çka u plotësua kushti për vendimmarrje të vlefshme, në përputhje me Rregulloren e punës.

Në fillim të seancës, anëtarët e pranishëm e shqyrtuan dhe e miratuan njëzëri Rendin e ditës dhe Procesverbalin nga seanca e mëparshme, e 7-të, e Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në vazhdim, kryetari Bojan Mariçiq hapi diskutimin për pikën kryesore të rendit të ditës – Planin vjetor i punësimit për vitin 2026, dhe sqaroi shkurtimisht se i njëjti është përgatitur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, përkatësisht me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Kodin Zgjedhor. Ai theksoi se gjatë përgatitjes së planit janë marrë parasysh në mënyrë strikte nevojat reale për forcimin e kapaciteteve të Shërbimit profesional dhe njësive rajonale, me qëllim që të sigurohet kuadër përkatës profesional i cili do t’u përgjigjet vëllimit të shtuar të obligimeve institucionale dhe operative. Pas diksutimit të hapur, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi njëzëri Planin Vjetor të punësimit për vitin 2026.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Më datë 22.05.2026, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancën e 7-të në të cilën, në prani të gjashtë anëtarëve, u miratua në mënyrë unanime rendi i ditës i përbërë nga katër pika, të cilat kanë të bëjnë me avancimit të punës kadrovike dhe tekniko-logjistike të institucionit.

Në përputhje me rendin e ditës, u miratua Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për sistematizimin e vendeve të punës në Shërbimin profesional të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për të cilën kryetari Bojan Mariçiq arsyetoi se këto ndryshime përbëjnë një hap drejt realizimit së Planit vjetor të punësimit për vitin 2026, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve kadrovike dhe rritjen e efikasitetit në funksionimin e përditshëm të institucionit.

Anëtarët e KSHZ-së miratuan gjithashtu Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Planit vjetor të nevojave të përgjithshme për prokurime publike për vitin 2026. Për sa i përket kësaj pike, fjalën e mori anëtari i Komisionit, Angellço Ristov, i cili shpjegoi se këto ndryshime realizohen pas kërkesave të dorëzuara nga sektori i TI-së pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ai arsyetoi me detaje se brenda planit përfshihen prokurime të reja për materiale harxhuese kompjuterike, licenca, softuer antivirus, si dhe softuerin vMix për përcjelljen e seancave me përkthim shumëgjuhësh. Gjithashtu, përmes këtyre ndryshimeve parashikohet mirëmbajtje preventive dhe adaptive e sistemit DMS, e pajisjeve për furnizim të pandërprerë me energji (UPS) dhe e kondicionerëve në sallën e serverëve, si dhe prokurim i licencave dhe mbështetjes për pajisjen e rrjetit Firewall-SonicWall. Siç theksoi Ristov, të gjitha ndryshimet e lartpërmendura realizohen me qëllim të rritjes së funksionalitetit, sigurisë dhe mirëmbajtjes së sistemit të TI-së pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Të gjitha vendimet e seancës së 7-të u miratuan në mënyrë unanime nga anëtarët e pranishëm.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, me ftesë të Fondacionit Metamorphosis mori pjesë në konferencën “Forcimi i rezistencës ndaj manipulimeve të informatave gjatë zgjedhjeve “, e cila u realizua në kuadër të projektit “Përballja me manipulimet me informatat e lidhura me zgjedhjet dhe ndikimin e huaj “.

Në sesionin e dedikuar për përballjen me ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet me informata (FIMI), dezinformatat dhe kërcënimet ndaj integritetit zgjedhor, kryetari i KSHZ-së, Mariçiq theksoi se në epokën digjitale integriteti zgjedhor nuk varet vetëm nga siguria fizike e procesit zgjedhor, por edhe nga aftësia e institucioneve për të reaguar shpejt ndaj fushatave të koordinuara të dezinformimit. Sipas tij, rregullimi i pamjaftueshëm i hapësirës onlajn dhe koordinimi i dobët institucional paraqesin dobësi serioze të cilat i shfrytëzojnë kërcënimet hibride.

Në fjalimin e tij, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Mariçiq, vuri theks të veçantë mbi sfidat dhe rreziqet me të cilat përballen organet zgjedhore gjatë mbrojtjes së integritetit zgjedhor, duke nënvizuar se presioni më i madh ndaj tij ndodh në krijimin e perceptimit te votuesit, përmes manipulimeve të orkestruara të jashtme me informata dhe dezinformata.

“Mbrojtja më e mirë e integritetit zgjedhor nuk qëndron në vendosjen e censurës apo bllokadave digjitale, por në shpejtësinë e ofrimit të së vërtetës nga ana e institucioneve. Integriteti zgjedhor sot nuk mbrohet më vetëm në vendvotime, ai mbrohet edhe në hapësirën digjitale”, tha Mariçiq.

Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i gatshëm për koordinim të plotë dhe ndërtim të partneriteteve me të gjithë aktorët shoqërorë, me qëllim të ruajtjes së përhershme të besimit të qytetarëve në proceset demokratike dhe zgjedhore në vend.

Në kuadër të ngjarjes u theksua nevoja për përfshirje më aktive të vendeve kandidate për në BE në Mburojën demokratike evropiane si dhe u realizua simulimi i parë praktik i një sulmi informativ gjatë zgjedhjeve.

Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni Metamorphosis në bashkëpunim me Internacional IDEA (International IDEA), dhe e mbështetur nga Global Affairs Canada, bëri bashkë përfaqësues të lartë nga sektori civil, Qeveria, Drejtoria për zgjerim e Komisionit Evropian, si dhe ambasadorët e Suedisë dhe Lituanisë. Në panel-diskutimet, përveç Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ekspertë ndërkombëtarë nga European Trust Alliance dhe European Fact-Checking Standards Network.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Abdush Demiri, dhe anëtarja e Komisionit, Svetllana Karapetrova, morën pjesë aktive në konferencën ndërkombëtare me temë „Teknologjitë e reja dhe integriteti zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë: roli, kufizimet dhe përgjegjësia“, e cila u mbajt në Asamblenë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë.

Në kuadër të tre paneleve të punës, përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me kolegët e tyre nga Estonia dhe Shqipëria, si dhe me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, ndanë përvojat, sfidat dhe kapacitetet institucionale të nevojshme për aplikimin dhe menaxhimin e suksesshëm të veglave digjitale gjatë votimit dhe përmbledhjes së rezultateve.

Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, ishte folës në panelin me titull „Teknologjia dhe besimi: Konteksti për forcimin e integritetit zgjedhor në BeH“, ku i ndau përvojën praktike të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se aplikimi e identifikimit biometrik të votuesve ishte një hap i rëndësishëm për rritjen e besimit të opinionit publik në procesin zgjedhor. Demiri theksoi se çelësi për forcimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve nuk qëndron vetëm te teknologjia, por edhe te qëndrueshmëria institucionale, përgatitja profesionale dhe kapaciteti i administratës zgjedhore për të menaxhuar me sukses proceset në terren. Në kuadër të diskutimit, Demiri konfirmoi gatishmërinë dhe transparencën e plotë të KSHZ-së për bashkëpunim profesional dhe ndarjen e njohurive praktike dhe eksperte me kolegët nga Bosnja dhe Hercegovina.

Pjesëmarrësit në konferencë u pajtuan se teknologjia është një vegël e fuqishme për reduktimin e manipulimeve zgjedhore, por që për sukses të plotë është i domosdoshëm komunikimi transparent me publikun dhe mbështetja e fortë nga të gjitha institucionet shtetërore.

Ngjarja, e cila u organizua nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në Bosnjë dhe Hercegovinë, me mbështetjen e Komisionit për Luftë Kundër Korrupsionit të Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, u hap solemnisht nga kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Darko Babal, ndërsa u mbyll me një fjalim përmbyllës dhe mesazhe kryesore nga kryesuesi i Komisionit për Luftë Kundër Korrupsionit të APBeH-së, Branisllav Borenoviq.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbajti seancën e 6-të, në të cilën njëzëri u miratuan dy vendime kyçe të dedikuara për sigurimin e gatishmërisë teknike dhe funksionimin efikas të Sistemit të Integruar për Identifikimin Biometrik të Votuesve (SIIBV).

Për shkak të nevojës për mbështetje nga ekspertët në Sektorin për teknologji informative pranë Shërbimit profesional të KSHZ-së dhe me qëllim të kryerjes cilësore të detyrave të rregullta që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e sistemit për identifikimin biometrik të votuesve, Komisioni miratoi Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për formimin e grupit profesional të punës nga ekspertë të jashtëm të TIK-ut për analizë teknike dhe sigurimin e funksionalitetit të plotë, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e Sistemit të integruar për identifikim biometrik numër 08-585/1 të datës 26.02.2026, me të cilin përcaktohen në mënyrë konkrete detyrat e ekspertëve që kanë të bëjnë me përgatitjen e analizës dhe propozimit për funksionimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e Sistemit të integruar për identifikim biometrik, në bazë të përvojave të fituara nga zbatimi i deritanishëm i SIIBV-së.

Në të njëjtën seancë, Komisioni miratoi edhe Vendimit për përcaktimin e koordinatorit, zëvendëskoordinatorit dhe anëtarëve të grupit të punës për përgatitjen e analizës dhe propozimit për funksionimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e Sistemit të Integruar për identifikim biometrik. Ky grup, i cili numëron 10 anëtarë, është i ngarkuar që më së voni deri më datë 25 maj të vitit 2026 të përgatisë një analizë të detajuar profesionale për zbatimin e deritanishëm të identifikimit biometrik, të përgatisë propozim për mundësitë teknike për funksionimin dhe mbrojtjen e tij të mëtutjeshme, si dhe të kryejë vlerësimin e vlerës së tregut për propozimin e ofruar dhe shërbimet e nevojshme.

Përveç këtyre vendimeve, në rendin e ditës të seancës u shqyrtuan dhe miratuan procesverbali nga seanca e kaluar e Komisionit, si dhe pika të ndryshme. Të gjitha pikat e rendit të ditës u shqyrtuan dhe u miratuan me konsensus të plotë dhe pa paraqitje për diskutime shtesë.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme të 5-të miratoi Vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për 11 Komisione Komunale Zgjedhore, me çka mundësohet pagesa e kompensimeve të mbetura për organet zgjedhore në komunat me xhirollogari të bllokuara.

Në kuadër të arsyetimit të Propozim-Vendimit, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, theksoi se ky Vendim i miratuar unanimisht është i dedikuar për kompensimet e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave të zbatuara në vitin 2026, me të cilin zgjidhet problemi me vonesën e pagesës për shkak të zhirollogarive të bllokuara të komunave. Ai theksoi se Vendimi është miratuar në bazë të konkluzionit të Qeverisë nga data 29.04.2026, me çka njëkohësisht konfirmohet përkushtimi dhe angazhimi i KSHZ-së për pagesën e plotë të të gjithë personave të përfshirë në zbatimin e proceseve zgjedhore.

Shuma e përgjithshme prej 107.201.924,00 denarë, e dedikuar për komunat Haraçinë, Dellçevë, Strugë, Pehçevë, Tetovë, Krivogashtan, Vasilevë, Zhelinë, Gostivar, Vrapçisht dhe Zërnovc, është siguruar nga mjetet buxhetore të shtetit, pas kërkesave dhe urgjencave të mëparshme të dorëzuara deri te Ministria e Financave nga ana e KSHZ-së për respektimin e plotë të nenit 88 paragrafi 5 të Kodit Zgjedhor. Pagesa ka të bëjë me kompensimet në pajtim me Rregulloren e KSHZ-së për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave (viti 2026) në komunat ku janë zbatuar të njëjtat.

Mjetet do të transferohen sot në llogari të veçanta dedikuese të komunave për aktivitete zgjedhore, me çka garantohet realizimi i tyre për pagesën e kompensimeve të këshillave zgjedhorë dhe komisioneve komunale zgjedhore, përkundër zhirollogarive të bllokuara të komunave.

Me miratimin e këtij vendimi dhe me Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e kritereve për kompensim (nr. 08-4741/1 të datës 14.11.2025), KSHZ-ja së bashku me palët e përfshira, tejkaloi me sukses sfidën shumëmujore me të cilën ballafaqoheshin një pjesë e komunave lidhur me pagesat e kompensimeve të organeve zgjedhore. Në këtë mënyrë sigurohet valorizimi i merituar i punës së mijëra qytetarëve të cilët ishin pjesë e administratës zgjedhore, duke mbrojtur dinjitetin e të gjithë atyre që në mënyrë profesionale i kryen detyrat e tyre.

Në seancën e sotme, përveç kësaj pike kyçe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi edhe Procesverbalin nga seanca e kaluar e 4-të, ndërsa në pikën “Të ndryshme” nuk pati diskutime shtesë.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) realizuan një takim pune me ambasadorin e Francës në vend, Sh.T. Kristofe Le Rigoler. Në takim u bisedua për ndryshimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor, si dhe për forcimin e rezistencës institucionale në luftën kundër manipulimit me informacione dhe ndërhyrjes në proceset zgjedhore.

Gjatë bisedave, bashkëbiseduesit potencuan mbështetjen e vazhdueshme të Francës për proceset reformuese në rrugën drejt integrimit evropian të vendit. Kryetari Mariçiq dhe anëtarët e Komisionit theksuan angazhimin e KSHZ-së për përkushtim të plotë ndaj implementimit të standardeve evropiane dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në kuadër të takimit u shkëmbyen mendime për modernizimin e procesit zgjedhor, me ç’rast u nënvizua rëndësia dhe nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit në pjesën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike në periudhën e ardhshme.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Abdush Demiri, së bashku me anëtarët Svetllana Karapetrova, Boris Kondarko dhe Ditmire Shehu, morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët kushtuar avancimit të reformave zgjedhore. Në fokus të diskutimit ishin sfidat me kornizën aktuale ligjore, integriteti i fushatave zgjedhore dhe mekanizmat për mbikëqyrjen e financimit të tyre.

Theksi kryesor u vu në rekomandimet kryesore nga Raporti i ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 dhe nevojën thelbësore që ato të shndërrohen në zgjidhje ligjore konkrete dhe të zbatueshme. Folësit theksuan se tani është momenti për miratimin përfundimtar të Kodit të ri Zgjedhor, me çka do të përmbusheshin plotësisht obligimet nga Agjenda Reformuese.

Në këtë drejtim, nënkryetari Abdush Demiri theksoi se për KSHZ-në prioritet është funksionaliteti i reformave, e jo vetëm miratimi i tyre formal. “Nuk mjafton vetëm t’i përshkruajmë rekomandimet e ODIHR-it në ligj, ato duhet të jenë të zbatueshme edhe në terren. KSHZ-ja këmbëngul në zgjidhje të qarta ligjore që do të mënjanojnë të gjitha paqartësitë në pjesën e administratës zgjedhore dhe zbatimin teknik të zgjedhjeve. Ekspertiza jonë është në dispozicion të Grupit të Punës që punon për Kodin Zgjedhor, për të siguruar që rregullat e reja do të nënkuptojnë një proces më të mirë dhe më transparent”, theksoi Demiri.

Nga ana e pjesëmarrësve u konstatua se nevojitet vullnet i fortë politik dhe veprim i koordinuar i të gjitha institucioneve për të mbyllur rrethin e rekomandimeve shumëvjeçare dhe për të forcuar besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Institucione rezistente për qeverisje demokratike dhe zgjedhje në Ballkan”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup, Programit Zviceran për mbështetjen e zgjedhjeve, i zbatuar nga IFES-i, si dhe projektit të ODIHR-it “Mbështetja e reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, mbajtën një takim pune me delegacionin e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – ODIHR pranë OSBE-së, në të cilin në fokus të bisedimeve ishin reformat zgjedhore dhe prioritetet e ardhshme të KSHZ-së në kuadër të projektit rajonal “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor”.

Kryetari Mariçiq shprehu mirënjohje për mbështetjen nga Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025, duke theksuar se Raporti përfundimtar i ODIHR-it konfirmon suksesshmërinë e procesit dhe shkallën e lartë të besimit që gëzon KSHZ-ja te të gjitha palët e interesuara.

Edhe pse Raporti përfundimtar i ODIHR-it e konfirmon suksesin e zgjedhjeve, përfaqësuesit e ODIHR-it potencuan faktin se për disa cikle zgjedhore me radhë notohen rekomandime të njëjta, duke treguar nevojën urgjente për të zgjidhur çështjet e hapura me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.

Komisioni theksoi se duhet të shfrytëzohet momenti për zbatimin e reformave thelbësore dhe se pret mbështetje nga të gjitha palët e interesuara për pranimin e plotë të rekomandimeve të KSHZ-së për ndryshime në Kodit Zgjedhor, duke nënvizuar se KSHZ-ja është e gatshme të jetë pjesëmarrëse aktive në këtë proces, me ekspertizën dhe përvojën e saj teknike në terren.

Gjatë diskutimit, anëtarët e KSHZ-së dhanë shpjegime të hollësishme rreeth sfidave në terren, duke sqaruar se një pjesë e vërejtjeve në Raportin për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 janë rezultat i paqartësive ligjore.

Gjatë takimit u përshëndet bashkëpunimi i vazhdueshëm, me ç’rast delegacioni i ODIHR-it konfirmoi mbështetjen për tejkalimin edhe të atyre rekomandimeve që nuk kërkojnë ndryshime ligjore, veçanërisht në pjesën e transparencës, edukimit dhe profesionalizimit të administratës. KSHZ-ja theksoi rëndësinë e projektit “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor” dhe shprehu pritshmërinë për vazhdimin e tij.

Vizita e punës e delegacionit të ODIHR-it, në përbërje të Ranko Vukçeviq, këshilltar për zgjedhje, Raul Mureshan, koordinator i projektit rajonal “Avancimi i reformave zgjedhore në Ballkanin Perëndimor” dhe Natalija Vasilevska, bashkëpunëtore e projektit, realizohet pas publikimit të Raportit përfundimtar për zgjedhjet lokale të vitit 2025 dhe përfshin takime edhe me institucione të tjera shtetërore, shoqërinë civile dhe bashkësinë ndërkombëtare.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, dhe nënkryetari Abdush Demiri zhvilluan një takim pune me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për çështje evropiane, Bekim Sali, në të cilin u theksua përgjegjësia e përbashkët institucionale për avancimin e ambientit demokratik dhe për miratimin në kohë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Udhëheqësia e KSHZ-së e informoi zëvendëskryeministrin e parë për aktivitetet aktuale dhe përparimin e arritur, të shënuar në Raportin e OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale 2025. Në kuadër të bisedës, KSHZ-ja theksoi nevojën për mbështetje ndaj propozim-ndryshimeve të Kodit Zgjedhor para zëvendëskryeministrit Sali, si një hap esencial për plotësimin e boshllëqeve ligjore dhe për harmonizim të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR-it. Bashkëbiseduesit u pajtuan se këto reforma, të cilat përfshijnë plotësisht  rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, janë kontribut i drejtpërdrejtë drejt përmbushjes e Agjendës Reformuese evropiane dhe janë në interes të qytetarëve dhe shtetit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, në takim theksoi se Qeveria e ndjek me vigjilencë procesin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe mbetet fuqimisht e përkushtuar për realizimin e reformave sipas dinamikës së paraparë, me qëllim forcimin e mëtejshëm të standardeve demokratike dhe sigurimin e kushteve për procese zgjedhore legjitime. Ai shtoi se mbështetja për propozimet e KSHZ-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhet të vijë nga të gjitha palët e interesuara dhe është kyçe në këtë proces, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndryshime që fokusohen në integritetin operativ dhe efikasitetin administrativ gjatë zbatimit të zgjedhjeve.

Në takim, nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, adresoi edhe sfidat aktuale të Komisionit, për të cilat pritet mbështetje në kohë dhe adekuate nga ana e Qeverisë, ndër të cilat edhe pagesa e kompensimeve për organet zgjedhore në komunat me xhirollogari të bllokuara.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit konfirmuan fokusin dhe përkushtimin e përbashkët për finalizimin e ndryshimeve ligjore deri në qershor  2026 dhe përmbushjen e obligimeve nga Agjenda e Reformave, të cilat sjellin deri në 4,2 milionë euro mjete nga BE-ja, të dedikuara për harmonizim të plotë me standardet evropiane.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në seancën e katërt të sotme, të kryesuar nga kryetari Bojan Mariçiq, miratoi njëzëri Rregulloren për plotësimin e Rregullores për kriteret për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e organeve zgjedhore, administratën zgjedhore dhe personat e angazhuar me urdhëresë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor, me nr. 08-4741/1 të datës 14.11.2025. Me këtë hap, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i heq të gjitha dilemat dhe interpretimet e ndryshme të ligjit nga ana e komunave, duke i dhënë fund ngecjes disamujore dhe duke mundësuar pagesën e menjëhershme të kompensimeve për qytetarët e angazhuar në procesin zgjedhor.

Miratimi i këtij akti nënligjor është rezultat i takimit të punës së Komisionit me kryetarët e komunave të Qytetit të Shkupit dhe komunave të Shkupit, ku së bashku u identifikua nevoja për udhëzime më të sakta për pagesat. Edhe pse Kodi Zgjedhor në nenin 88, paragrafi 4, qartë e përcakton kompetencën e vetëqeverisjes lokale për këto shpenzime, interpretimet e ndryshme të palëve të përfshira lidhur me detyrimet ligjore çuan në vonesa të panevojshme në pagesat ndaj anëtarëve të organeve zgjedhore.

“Siç paralajmërova në seancën e mëparshme, realizuam takim me kryetarin e BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, dhe kryetarët e komunave të Shkupit, me qëllim që së bashku të gjejmë mënyrën më efikase për pagesën e këtyre detyrimeve. Edhe pse Kodi Zgjedhor është i qartë, neni 88 paragrafi 4, në praktikë u përballëm me pengesa administrative dhe interpretime të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, me këtë Rregullore që sot e miratojmë, e përcaktojmë raportin e pagesës, me çka KSHZ-ja i heq të gjitha dilemat dhe ofron zgjidhje që është në interes të komunave dhe të administratës zgjedhore që pret kompensimin e merituar. Besoj se me këtë, procesi më në fund do të përfundojë pa vonesa të mëtejshme”, tha kryetari i KSHZ-së, Mariçiq.

Me plotësimet e Rregullores, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendos ndarje juridikisht detyruese të obligimeve financiare për pagesën e kompensimeve për Zgjedhjet Lokale 2025. Sipas paragrafëve të rinj në nenin 3, kompensimi për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Shkup është në tërësi obligim i buxheteve të komunave amë, ndërsa nga buxheti i Qytetit të Shkupit do të realizohet pagesa e kompensimit për Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit.

Në nenin 19, paragrafët e rinj (2), (3) dhe (4) e përcaktojnë raportin e obligimeve ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe komunave në përbërje të tij. Në komunat ku kryetari i komunës është zgjedhur në rrethin e parë zgjedhor, komuna është e obliguar të mbulojë 70% të shumës së kompensimit, ndërsa 30% e mbetur është obligim i Qytetit të Shkupit. Nga ana tjetër, në komunat ku zgjedhjet janë zhvilluar në dy rrethe, komuna përkatëse merr përgjegjësinë për pagesën e plotë të kompensimeve për të dy rrethet zgjedhore nga buxheti i saj.

Rregullorja parashikon edhe obligimin e Qytetit të Shkupit që t’u rimbursojë mjetet atyre komunave që ndërkohë kanë kryer pagesën e plotë në rastet ku parashikohet ndarja e shpenzimeve.

Për më tepër, nën pikën “të ndryshme”, kryetari Mariçiq informoi se Komisioni është i angazhuar në mënyrë aktive edhe për tejkalimin e problemit me pagesën e kompensimeve në komunat me llogari të bllokuara, për çka tashmë është dërguar një shkresë zyrtare dhe urgjencë në Ministrinë e Financave, me qëllim që të mundësohet pagesa e pandërprerë në përputhje me dispozitat ligjore.

Si pjesë e aktiviteteve të rregullta, në seancën e sotme njëzëri u miratua edhe procesverbali nga seanca e 3-të e KSHZ-së. Linku i videos nga seanca: https://www.youtube.com/watch?v=jqAcFQisHCA

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, zhvilluan një takim pune me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Sh.T. Kilian Vall. Takimi u zhvillua në frymën e konfirmimit të rezultateve të deritanishme, por edhe të përcaktimit të fushave ku do të forcohet bashkëpunimi, në prag të ndryshimeve të ardhshme ligjore.

Në takim, ambasadori Val shprehu vlerësim të lartë për Komisionin, duke theksuar se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është një institucion me besueshmëri të madhe dhe përfaqëson një histori suksesi në shtet. Ky vlerësim i lartë përputhet me konkluzionin e përbashkët se Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it është një pasqyrim objektiv dhe real i procesit zgjedhor të zbatuar me sukses, me çka përforcohet edhe më tej kredibiliteti i institucionit.

Në këtë kontekst, udhëheqësia e Komisionit theksoi se janë të vetëdijshëm për sfidat e evidentuara në Raportin e ODIHR-it për Zgjedhjet Lokale 2025, me ç’rast u nënvizua përkushtimi e fortë dhe angazhimi i veçantë në të cilin do të punohet në periudhën e ardhshme për implementimin e plotë të rekomandimeve të dhëna. Anëtarët e Komisionit e njoftuan ambasadorin për propozimet tashmë të dorëzuara në grupin e punës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se presin që këto propozime të pranohen në tërësi, me qëllim që të sigurohet efikasiteti operativ dhe shkalla më e lartë e sigurisë juridike të proceseve zgjedhore, duke respektuar ekskluzivisht standardet profesionale dhe ndërkombëtare.

Ambasadori Val konfirmoi se Misioni i OSBE-së do ta intensifikojë më tej mbështetjen për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa bashkëbiseduesit u pajtuan se ky bashkëpunim i përforcuar do të jetë i orientuar drejt realizimit të qëllimeve strategjike kyçe për transparencë dhe gjithëpërfshirje më të madhe të sistemit zgjedhor.

Në këtë drejtim, aktivitetet e përbashkëta në periudhën e ardhshme do të fokusohen në finalizimin e Regjistrit të rreziqeve nga korrupsioni, si pjesë përbërëse e Politikës për integritet të institucionit, si dhe në aktivitete që kanë të bëjnë me edukimin në terren, me grupe të ndryshme të synuara.

Në fund të takimit, u shpreh falënderim për ambasadorin Val për përkushtimin e tij personal gjatë mandatit, me ç’rast u konkludua se mbështetja nga OSBE mbetet një shtyllë vitale për zhvillimin e mëtejshëm demokratik dhe harmonizimin e plotë të proceseve zgjedhore me standardet ndërkombëtare.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, dhe anëtarët e Komisionit, realizuan një takim pune me Ministrin e Administratës Publike, Goran Minçev, në të cilin u theksua përkushtimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, si parakushte kryesore për zbatimin e suksesshëm të veprimeve zgjedhore dhe sigurimin e rezultateve kredibile zgjedhore.

Fokus i veçantë i takimit iu kushtua zgjedhjes së ardhshme të përbërjeve të reja të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ). Nga ana e anëtarëve të KSHZ-së u theksua se për zbatimin e suksesshëm të këtij procesi, rëndësi esenciale ka posedimi i një Regjistri të përditësuar dhe të saktë të nëpunësve administrativë, si bazë kryesore për përzgjedhjen e kuadrit të kualifikuar dhe profesional për organet zgjedhore.

Ministri Minçev konfirmoi gatishmërinë e tij dhe theksoi se Ministria është plotësisht në dispozicion të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për shkëmbim të shpejtë dhe efikas të të dhënave, me qëllim që administrata publike të vazhdojë të jetë garant i zgjedhjeve transparente dhe efikase.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se ky koordinim i drejtpërdrejtë dhe qasje partneriteti janë thelbësore për zbatimin efikas të detyrimeve ligjore dhe për funksionimin e pandërprerë të organeve zgjedhore.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i fokuasuar në kompletimin me kohë dhe edukimin e administratës zgjedhore, duke siguruar zbatim profesional të zgjedhjeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në të gjithë procesin.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, më datë 16.04.2026, në përbërje të plotë mbajti seancën e 3-të, në të cilën në mënyrë unanime u miratuan disa akte kyçe të orientuara drejt avancimit të standardeve të brendshme të punës dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Në kuadër të rendit të ditës u miratuan procedurat për punë jashtë orarit dhe pagesën e shtesave në pagë, si dhe procedura për mungesë nga hapësirat e punës, me çka institucioni formalizon praktikat pozitive të deritanishme dhe vendos mekanizma të saktë për evidencë dhe vlerësim të punës në përputhje me standardet bashkëkohore.

Si pikë e rendit të ditës u miratua edhe Plani Aksional për avancimin e perspektivës gjinore (PAGJ) 2026–2028, dokument strategjik për integrimin e parimeve të inkluzivitetit dhe për avancimin e kulturës institucionale, standardeve profesionale dhe inkluzivitetit të procesit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në drejtim të forcimit të gatishmërisë administrative, Komisioni miratoi edhe Programin për trajnimin e udhëheqësisë dhe të punësuarve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, me Plan për trajnime nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale për vitin 2026. Ky akt buron nga detyrimet ligjore për harmonizim të plotë me legjislacionin vendor dhe Rregulloren Evropiane (GDPR).

Nën pikën “Të ndryshme”, kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, e hapi çështjen e vonesave dhe pagesave jo të plota të kompensimeve për anëtarët e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 nga ana e një pjese të komunave. Në paraqitjen e tij, ai theksoi se, në përputhje me Kodin Zgjedhor, përgjegjësia për pagesën e këtyre mjeteve është detyrim ekskluziv i komunave dhe i Qytetit të Shkupit. Njëkohësisht, ai vuri në dukje se KSHZ-ja është organi i vetëm kompetent për miratimin e Rregullores për kompensime, prandaj çdo vendim i pavarur i autoriteteve lokale për revidimin e saj ose uljen e shumave është i pabazuar ligjërisht dhe i pavlefshëm.

Me qëllim tejkalimin e situatës në komunat me llogari të bllokuara, Komisioni tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë dhe iu është drejtuar Ministrisë së Financave dhe Qeverisë për gjetjen e një mekanizmi të përshtatshëm për sigurimin e mjeteve të nevojshme. Mariçiq theksoi se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mbetet i angazhuar për tejkalimin e problemit dhe paralajmëroi koordinim shtesë me udhëheqësinë e BNJVL-së dhe kryetarët e një pjese të komunave, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët për pagesën urgjente të kompensimeve dhe mbrojtjen e plotë të të drejtave ligjore dhe dinjitetit të të gjithë qytetarëve të përfshirë në procesin zgjedhor.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq dhe anëtarët e Komisionit, Svetllana Karapetrova, Ditmire Shehu dhe Boris Kondarko, morën pjesë në ngjarjen e organizuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe IFES, në të cilën u prezantuan Raportet e veçanta për financimin e fushatave për Zgjedhjet Lokale 2025 dhe Zgjedhjet e përsëritura 2026.

Kryetari i KSHPK-së, z. Adem Çuçul, i cili prezantoi gjetjet e detajuara nga raportet, theksoi se ligjshmëria e burimeve të financimit të fushatave dhe shpenzimi i tyre i dedikuar janë parakushte themelore për një garë të drejtë politike midis pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Në këtë drejtim, Çuçul theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe se KSHPK-ja, së bashku me KSHZ-në, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore të përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe Kodin Zgjedhor, bashkëpunojnë me sukses në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit gjatë gjithë procesit zgjedhor. Kjo lidhje institucionale është thelbësore për krijimin e një sistemi efikas monitorimi, i cili zbatohet nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre.

Konkluzioni i përbashkët i ngjarjes është se vetëm përmes bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional dhe qasjes së koordinuar mund të sigurohet parandalim efektiv i veprimeve korruptive. KSHZ-ja dhe KSHPK-ja mbeten të përkushtuara për forcimin e këtij partneriteti, me qëllim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies demokratike, të cilat janë thelbësore për besimin e qytetarëve në ligjshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bojan Mariçiq, së bashku me anëtarët e Komisionit, Aleksandar Dashtevski dhe Boris Kondarko, morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Gatishmëria e institucioneve për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit me informacione (SMMI): sfidat, koordinimi dhe hapat e ardhshëm”, e organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK).

Prania dhe përfshirja e udhëheqjes së KSHZ-së në këtë aktivitet e konfirmon përcaktimin strategjik të Komisionit për mbrojtjen   e besueshmërinë e proceseve zgjedhore nga ndikimet e jashtme dhe fushatat e dezinformimit. Në këtë aktivitet, ekspertë të lartë vendas dhe ndërkombëtarë, ndër të cilët edhe përfaqësues nga OSBE/ODIHR dhe Shërbimi i Komunikimeve i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për nevojën e mobilizimit shumë më herët para mbajtjes së vetë zgjedhjeve, duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së hershme të të gjitha institucioneve përkatëse. Ekspertja nga OSBE/ODIHR, Françeska Bogeri, theksoi se është e domosdoshme që institucionet të fillojnë monitorimin e këtyre dukurive shumë më herët, me qëllim që të mundësohet komunikim dhe koordinim në kohë.

Për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërtimi i rezistencës ndaj ndikimeve të këtilla paraqet një element kyç në konsolidimin e kapaciteteve institucionale. Pjesëmarrja në diskutim mundësoi shkëmbimin e përvojave mbi modelin britanik „RESIST“ (RESIST), si dhe mbi modelet e koordinimit që mund të zbatohen në kontekstin kombëtar me qëllim mbrojtjen e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe diskursit demokratik.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Forcimi i gatishmërisë operacionale të Qeverisë për t’iu përgjigjur SMIM në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Shkup.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) mbajtën një takim pune me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në të cilin tema të diskutimit ishin avancimi i bashkëpunimit institucional dhe aplikimi i zgjidhjeve të reja digjitale në procesin zgjedhor.

Në takim, nga ana e kryetarit të KSHZ-së, Bojan Mariçiq, u theksua se në epokën e kërcënimeve bashkëkohore hibride, transformimi digjital dhe integriteti zgjedhor janë shtylla të pandashme për mbrojtjen e legjitimitetit të procesit zgjedhor dhe vullnetit demokratik të qytetarëve, duke treguar se këto janë çështje për të cilat në periudhën që pason, KSHZ-ja së bashku me Ministrinë e Transformimit Digjital duhet të punojnë në modernizimin teknologjik të veprimeve zgjedhore, duke përfshirë edhe procesin e mbledhjes së të dhënave për listat e kandidatëve dhe kontrollin automatik të dokumenteve nga regjistrat gjyqësorë.

Ministri Andonovski shprehu gatishmëri për mbështetje teknike në definimin e specifikimeve për digjitalizimin e plotë të proceseve të brendshme të Komisionit, si dhe për aplikimin e zgjidhjeve bashkëkohore softuerike për menaxhim financiar dhe punë administrative.

Fokus i veçantë në takim nga ana e anëtarëve të Komisionit u vendos mbi avancimin sistematik dhe integritetin e Listës Zgjedhore, si përgjigje ndaj rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për harmonizimin e mëtutjeshëm administrativ të bazave të të dhënave. Të dyja palët u pajtuan se vendosja e lidhjeve të drejtpërdrejta dhe të sigurta digjitale ndërmjet regjistrave burimorë të MPB-së dhe Regjistrit të popullsisë është një hap kyç për eliminimin e rreziqeve operative dhe ruajtjen e një shkalle të lartë të saktësisë së të dhënave.

Nga ana e bashkëbiseduesve, si rezultat i këtij takimi konstruktiv, u paralajmërua nënshkrimi i Memorandumit për Bashkëpunim dhe formimi i grupeve operative të punës, me çka të dyja institucionet konfirmojnë përkushtimin e tyre për ndërtimin e një sistemi zgjedhor modern dhe të sigurt, ku teknologjia shërben si mburojë e demokracisë.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) shpreh shqetësim serioz në lidhje me vonesën dhe pagesën jo të plotë të kompensimeve për anëtarët e organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 nga ana e disa komunave të Shkupit dhe u bën apel kryetarëve të komunave dhe Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) për respektim konsekuent të dispozitave ligjore gjatë realizimit të këtyre pagesave.

Edhe pse mijëra qytetarë i kanë kryer detyrat e tyre në mënyrë profesionale, me përgjegjësi dhe në përputhje me standardet më të larta, është e papranueshme që ata ende të përballen me detyrime të parregulluara ose me përpjekje për të ulur në mënyrë të paligjshme shumat e parapra. Në këtë drejtim, KSHZ-ja deklaron qartë se çdo vendim me të cilin në mënyrë të pavarur revidohet lartësia e kompensimeve është juridikisht i pabazuar dhe i pavlefshëm.

Organi i vetëm kompetent për miratim të Rregullores për kompensime është Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në përputhje me nenin 31 të Kodit Zgjedhor. Ky akt është i detyrueshëm për të gjitha subjektet dhe zbatimi i tij selektiv përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe rrënon dinjitetin e administratës zgjedhore.

Edhe pse pjesa më e madhe e komunave në vend i kanë përmbushur tashmë detyrimet e tyre ligjore, është shqetësuese fakti që një pjesë nga komunat e Shkupit ende po e vonojnë këtë procedurë, pavarësisht udhëzimeve në kohë për planifikimin e këtyre fondeve në buxhetet komunale që nga korriku i vitit të kaluar. Për më tepër, ju kujtojmë se në përputhje me nenin 88, paragrafi 4 i Kodit Zgjedhor, fondet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale sigurohen nga buxhetet e komunave.

Me qëllim mbrojtjen e të drejtave të administratës zgjedhore, që është thelbësore për integritetin e çdo procesi zgjedhor, si dhe për të parandaluar shpenzimet shtesë në barrë të buxheteve komunale për shkak të padive tashmë të paralajmëruara nga anëtarët e organeve zgjedhore, KSHZ-ja inicon një takim urgjent koordinues me drejtuesit e BNJVL-së  dhe kryetarët e komunave të prekura, i cili pritet të mbahet gjatë kësaj jave me qëllim tejkalimin e problemeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë për këtë çështje.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, nënkryetari Abdush Demiri dhe anëtari i Komisionit Angellço Ristov, mbajtën një takim pune me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, në të cilin tema diskutimi ishin ndryshimet e ardhshme në legjislacionin zgjedhor dhe nevoja për përfshirje aktive të KSHZ-së në proces.

Gjatë takimit, anëtarët e Komisionit theksuan se zgjidhja e re ligjore duhet të jetë teknikisht e realizueshme dhe operativisht e qëndrueshme, dhe për këtë arsye KSHZ-ja, si institucion përgjegjës për mbajtjen e zgjedhjeve, duhet të përfshihet në mënyrë aktive në shqyrtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me implementimin e Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, udhëheqësia e KSHZ-së theksoi se tashmë është përgatitur një material profesional që ofron zgjidhje konkrete për tejkalimin e sfidave të identifikuara sistemore në relizimin e zgjedhjeve. Këto propozime bazohen në praktikën shumëvjeçare institucionale të Komisionit dhe synojnë harmonizimin e proceseve teknike me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet relevante të OSBE/ODIHR-it, të cilat janë në kompetencë të KSHZ-së.

Gjatë bisedës, bashkëbiseduesit u pajtuan se Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet të punojnë së bashku për të arritur deri te një ligj që do të garantojë efikasitet të vërtetë në zbatimin e veprimeve zgjedhore dhe forcimin e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore.

Propozimet zyrtare të KSHZ-së javën e ardhshme do t’i dorëzohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me bindjen se ato do të jenë pjesë integrale e ndryshimeve të ardhshme ligjore.

KOMISIONI SHTETËROR I ZGJEDHJEVE

Skip to content